Secondary Adv

Rama: Për Ballukun do pres raportin e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve

Kryeministri thotë se ka refuzuar tri herë dorëheqjen e Belinda Ballukut.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Edi Rama deklaroi se nuk do të komentojë procesin e nisur në Kuvend ndaj Belinda Ballukut, por do të presë raportin e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Ai zbuloi se Balluku i ka paraqitur dorëheqjen tre herë, që nga mbrëmja kur iu ngrit akuza e parë, e cila sipas tij nuk lidhet me korrupsion, por me pabarazi në tendera. Sipas Ramës, dorëheqja është dorëzuar fillimisht pas ngritjes së akuzës, më pas me shkrim kur u bë pezullimi dhe një herë të tretë pas pezullimit nga mosvendimi i GJK, por ai ka vendosur ta refuzojë në të gjitha rastet.

 

“Nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike”

Rama theksoi se në këtë fazë që e cilësoi si revolucionare për vendin, ku drejtësia sapo ka filluar të shijojë pavarësinë, nuk mund të ketë dorëheqje automatike sa herë që ngrihet një akuzë. Ai u shpreh se teoria dhe praktika e dorëheqjes morale nuk zbatohen njësoj në të gjitha vendet, duke shtuar se në Shqipëri, veçanërisht përmes SPAK, po krijohet sipas tij një dëm kolateral mbi administratën dhe po cenohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

 

Krahasime me vendet europiane

Kryeministri solli shembuj nga vende europiane, duke thënë se ndryshe nga perceptimi publik, jo kudo një ministër i akuzuar jep menjëherë dorëheqjen. Ai përmendi Italinë dhe Francën, ku sipas tij ka pasur raste kur ministrat kanë qëndruar në detyrë dhe më pas janë shpallur të pafajshëm. Rama shtoi se në Gjermani prezumimi i pafajësisë është në piedestalin më të lartë dhe se drejtësia atje nuk merret me të shkuarën e ministrive në të njëjtën mënyrë si në Shqipëri.

 

“Shumica e çështjeve i përkasin mandateve tona”

Sipas Ramës, mbi 85% e çështjeve të hetuara i përkasin mandatit të parë dhe të dytë të qeverisjes së tij, ndërsa disa i takojnë periudhës para ardhjes së socialistëve në pushtet. Ai kritikoi praktikat e sekuestrimit masiv të dokumenteve nga ministritë dhe agjencitë, duke thënë se në demokracitë e konsoliduara europiane nuk ekziston një qasje e tillë ku dosje të tëra transportohen nga arkivat drejt prokurorisë, madje edhe për tendera që janë ende në proces.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat